THËNJE TË MIAT

1Lufta me Status Quo-në është një zgjedhje jotja për tu bërë armik me shekullin tënd, me shpresë se dikush dikur në shekullin mbas teje të vendosë një lulë pranë kokës tënde.

2.  Përpara se të lindte Besa Shqiptare, kishin lindur tradhëtia, krimi dhe hakmarrja.

3. Njerëzit e mëdhenj kanë armiq por jo kundërshtarë, ndërsa njerëzit e vegjël kanë kundërshtarë por jo armiq.

4. Shoku i mirë është sikur tërfili katërfletësh- vështirë për ta gjetur e fat për ta pasur.

5. Nuk ndizet kandili për të ndriçuar veten, por botën rreth tij.

6. Ndërsa ai që punon bën gabime, ai që nuk punon bën mëkate.


7. Shpirti, ma shumë i kënaqet  bamirësit që jep, sesa nevojtarit që merr.

8. Në terr, edhe një çakmak bën dritë, por ditën nuk e bën dot po nuk qe Diell!

9. Burri dhe shkëmbi  kur rrëzohen, rrokullisen rëndë dhe me ushtimë deri ne fund te shpatit. Guraleci dhe burreci nuk arrijnë largë.

10. Përroi prej aty ku bashkohet me lumin e humbë  emrin e vet.

11. Nuk theret kau për të bërë një fërgesë.

12. S'e dua atë që më ofrohet, por dua atë që më mohohet.

13. Janë shumë shqiptarë që më shumë pëlqejnë një pordhë të Trump-it sesa një simfoni të Betovenit.

14. Për njerëz të dashur, po qe nevoja  do të sakrifikoja edhe jetën, por për askënd në botë nuk do të sakrifikoja idealet.

15. Çuditërisht, syri i njeriut më parë dallon një të zezë të vogël sesa një të bardhë të madhe.

16. Për të bluar mullini, uji nuk kërkohet të jetë i kthjellët por i bollshëm.

17. Më mirë një vëlla-shok, sesa një shok-vëlla.

18. Nuk dua të më duani, dua të më vlerësoni.

19. Themelit nuk i kërkohet të jetë i bukur, por të jetë i fortë.

20. Të identifikohesh me përkatësinë fetare përpara asaj kombëtare është si të veshësh brekët përmbi çakçirë.

21. Inatçorët edhe kur kanë një mendim si tëndin, askurrë nuk ta thonë në sy.

22. Atë çfarë nuk e ndreq kanuni mbetet për ta ndrequr huni.

23. Mbase të qëllon që në shenjë nderimi të hashë kokën, mos kërko pastaj të hashë edhe bishtin.

24. Mendohu mirë për çfarë ke nevojë dhe mos dil në treg për të blerë lopën, e të këthehesh në shtëpi me gomar për dore.

25. Nuk mundesh të jeshë një ateist i madh nëse nuk i ke lexuar disa herë Biblën dhe Kuranin.

26. Më mirë të jeshë pjesëtar i një fisi të pastër sesa i një kombi të ndytë.

27. Që të mos i thotë ndokush gabove Hilë, Hila ka vendosur të mos marrë përsipër asnjë detyrë.

28. Shpirti është diçka që ndyhet më së lehti dhe që pastrohet më së vështiri.

29. Gënjeshtra nuk i reziston askurrë harresës.

30. Diplomacia është si një potpuri vallesh që din t'i luan vetëm vallrari i mirë.

31. Fanatikun fetar mundesh ta këthesh në një barbar posa t'ia rritësh një fije temperaturën.

32. Po deshe një investim rentabël, respekto tjetrin.

33. Kurrë mos e prano nderimin që të bëhet ty në dëm të familjarëve tu.

34. Mos prit të këtkosh falje kur mbetesh pa rrugëdalje.

35. Kombi don mirëmbajtje sikur pushka.

36. Në lirinë e shprehjes nuk përfshihet edhe liria e lehjes.

37. Mos prit ta qashë njeriun kur të mbytet në humnerë, por qortoje sapo ta qesë hapin e parë drejt saj.

38. Përpa e mbytur edhe pleshtin e fundit nuk mundesh të thuash nuk kemi pleshta.

39. Shoqërinë, më shumë e dëmtojnë ata të cilët buallin e bëjnë plesht, sesa ata që pleshtin e bëjnë buall.

40. Rregjimet ndërrohen, shkopinjtë mbesin.

41. Asgjë nuk më dhunon sa heshtja e të tjerëve kur kam nevojë për fjalët e tyre.

42. Kur në fytyrë të del një puçërr e keqe, të duket më e madhe sesa koka.

43. Të bëhesh mbret është arrijtje kolosale, por edhe më kolosale është të bëhesh njeri.

44. Nuk mundesh ta rritësh një pemë përtej mundësive të saj, por mundesh ta presësh sado e madhe që ajo të jetë.

45. Çdo njeri normalisht që dëshiron të plaket, por jo edhe ta shohë pleqërinë duke i ardhur.

46. Heshtja e natës tregon se bota është në qetësi, heshtja e ditës tregon se bota është e vdekur.

47. Shqiptarët janë komb edhe fenomen.

48. Për qafën e pulës edhe brisku është shpatë.

49. Ju të mirët, mos u miqësoni me të këqijtë sepse çroditeni, e ju të këqinjtë  miqësohuni me të mirët sepse roditeni.

50. Shumëkush mund të jetë rentgen, por pak kush mund të jetë tomograf.

51. S'e dua atë që më ofrohet, por dua atë që më mohohet.