FJALA E RASTIT NË DITËN E PËRURIMIT TË KOMPLETIMIT TË SHTËPISË-MUZE TË DEDË GJON LULIT
Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,
Qytetarë të nderuar të Malësisë së Madhe dhe ju të nderuar pjestarë të shumtë të diasporës sone...,
Zonja dhe zotrinj...
MIRËDITA!
Malësorët e këtyre trojeve, në të kaluarën e vet historike kishin pasë derdhur shumë gjak, me shpresën për ta gëzuar jetën si gjithë popujt tjerë liridashës, dhe jo sikurëse ndodhi para më se 100 vjetëve, për të kaluar nga një gojë e armikut në tjetrën . Që prej asaj Konference të çmendur të Londrës, kjo shtëpi këtu përballë jush, nuk përkund më djepa, dhe as nuk nxjerr tym nga oxhaku i vet.
U shua kjo shtëpi përgjithëmonë, jo sepse mbi të kishte rënë ndonjëfarë mallkimi mitologjik, por sepse të gjithë burrat e saj, iu hodhën vdekjes në gji, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë Etnike.
Ja një histori e shkurtë e tyre:
Nikë Gjelosh Luli- një kushëri i parë i Dedë Gjon Lulit, pak ditë
pasi e ngriti flamurin e Kastriotëve në Bratilë të Deçiqi, ra heroikisht në fushë të betejës. Njësoj si ky..., do të bjerë edhe djali i vogël i Dedës, Gjergji!
Serbo-malazezët të ndihmuar nga tradhtarët vëndas, e vrasin tribunin e maleve Dedë Gjon Lulin, në Orosh të Mirditës.
Kolën-djalin e madh të Dedës, armiqtë e kësaj shtëpi e helmojnë në Vlorë. Me këtë..., vija atnore e heroit tonë shuhet përgjithmonë.
Megjithatë, historia vazhdon!
Lucë Nishi- i biri i Nikë Gjelosh Lulit, hedhet përpara grykës së topit okupator serbo-malazez, në Kodra të Moksetit.
Një pinjoll tjetër i kësaj derë, kapidani Gjelosh Luli, për bindjet e veta antikomuniste, u gjet midis dy zjarresh dhe për të mos u dorëzuar, zgjodhi jeten nëpër male, derisa pas dy vjetësh u gjet i vdekur në një
shpellë në Mal t' Kastratit.
Nore Kolja, një bijë prej derës së Kolë Kurtit dhe një bashkëheroinë e Tringës së Smajl Martinit, kishte qenë e shoqja e Kolës së Dedë Gjon Lulit.
Qytetarë të nderuar,
Është nderim i madh për mua të dal sot, këtu përpara jush, tek shtëpia e lindjes së heroit dhe shqiptarit të madh Dedë Gjon Lulit, për t’ua prezantuar shkallën e kompletimit të kesaj shtepie, e cila që prej vitit 2006, kur qe inaguruar si ndërtesë me emrin shtepi-muze, ishte lënë pothuaj se totalisht mbas dore.
Realisht, nuk ishte e lehtë të kompletohej një objekt i tillë, në pajtim me kërkesat muzeologjike, për faktin se shtëpia origjinale kishte qenë e përmbysur dhe shkatrruar sa e sa herë nga armiqtë e shumtë, dhe nuk kishte mbetur asgjë prej saj, përveç një rrënoje totale, e mbuluar me ferra e shkurre.
Por, as një shtëpi e sotme, e braktisur, me mure ë thata dhe me do sende të ekspozuara pa kurrefarë kriteresh muzeologjike, me një flamur si te harruar maje një shkopi, nuk mundej të ishte zgjidhje dinjitoze dhe as temë e mbyllur, për një krahinë të tërë, e cila, e mban aq lartë krenarinë që ka për birin e vet Dede Gon Lulin, simbolin e preludit të themelimit të shtetit shqipetar.
Kjo varferi e tillë etnografike ishte e papranueshme dhe nxitje e mjaftuar që ne, një grup bashkëmendimtarësh, t'i përvishemi punës vullnetare për të kërkuar mundësi të reja, për pasurimin e ketij objekti me ç’të jetë e mundur,.. si dhe për ti vu pikë neglizhencës dhe papërgjegjsisë së shoqërisë ndaj fatit të një investimi të madh, të filluar vite më parë, por askurrë të përfunduar dhe as të këthyer në funksion që meritonte.
Prandaj, të prirur nga kjo filozofi, sot, pas më shumë se një shekull, kësaj shtëpi po i këthehet i zoti i saj, Dedë Gjon Luli, më i pavdekshëm se asnjëhe më parë. Ne ishim të bindur se, birit tonë më të madh të Malësise së Madhe, kjo gjeneratë, ia kishte borxh nje një vepër të pavdekshme arti, tek shtëpia e tij e lindjes, mbase si rregull, kjo shtëpi-muze, duhej ta kishte një të tillë
Përveç tjerash, ishte në ndërgjegjen e këtij vendi, t'u lëjë gjeneratave që vijne sa më shumë gjurma qytetrimi, për të dëshmuar se Malesia e Madhe nuk është një krahinë inferiore, e pa histori dhe e pa kulturë!
Të u rikujtoj se trimi i kategorisë së tij, Isa Boletini, ka sot të paktën pesë monumente nëpër vendbanimet shqiptare.
U shërbeva me këtë shëmbull në vend të përgjigjes, atyre, të cilët në komentet e veta, këtë veprim tonin e shohin si stisje të figurës së Dedë Gjon Lulit dhe të familjes së tij, me argumentin se( kush e di se për çfarë motivesh) Deda nuk kishte luftuar vetëm, por edhe me gjyshërit e tyre!
Por Unë do të shtoja se as Gjergj Kastrioti nuk kishte luftuar vetem..., prandaj, kjo vepër simbolike shkon pikërisht për lavdinë e mbarë Malësisë së Madhe, si dhe te të gjithë bashkëluftarëve të tij, secili më trim se tjetri, te cilët poashtu meritojnë nderimet më të mëdha të mundëshme, të shoqërisë sonë.
Tekefundit, Dedë Gjon Luli është një realitet që mbahej mend deri vonë. Ai kishte qenë një prijës ushtarak i kohës…, ndersa sot është një hero i pranuar dhe i respektuar i mbarë kombit tonë. Ndërkaq, familja e tij e gjërë, jo se ishte familja e vetme kreshnike e këtyre anave që do të shuhej përgjithmonë, por ishte një familje të cilën historiografia shqiptare e cilëson si rastin më të pakrahasueshëm të këtyre anave, të flijimit për pavarësinë e Shqipërise.
Prandaj (zonja dhe zotrinj), merita kryesore që kjo shtëpi-muze sot reflekton më shumë art, gjallëri dhe pasuri shpirtnore, por edhe më shumë dashuri kombëtare, u takon të gjithë atyre që e kanë mbështetur këtë ide, fillim e mbarim, duke e veçuar këtu diasporën tonë si inkurajuesin dhe bartësin kryesor të kësaj vepre. Por, dijeni se dhe pa angazhimin e përnjëmentë të një grupi punues të përbërë nga:
Gjon Dedvukaj- koordinator i grupit..., pastaj Pal Dreshaj, Dodë Gojçaj, Fran Camaj, Kolë Junçaj, Dedë Dedvukaj, Nikollë Junçaj, Kolë Dedvukaj, Zef Gjonaj, Gjon Dushaj, Lucë Junçaj, dhe Unë me ta, kjo vepër nuk do të ishte realizuar edhe kësaj herë!
Prandaj, në emër të këtij grupi punues, më lejoni t’u falenderoj përzemërsisht të gjithëve për besimin e madh dhe djersën tuaj që ia kini falur këtij objekti me shumë rendësi!
Do të ishte e rëndit që edhe këtu, sot, t'ua kishim prezantuar emrat e donatorëve, të shumtë, nga të gjitha trevat shqiptare, por pershkak respektimit të kohës dhe durimit tuaj, nuk kemi mundësi. Por, listën e tyre e kemi këtu dhe do mbetet në dokumentacionin e këtij muzeu.
Gjithashtu shprehim mirënjohje edhe për secilin punëtor, ose person, i cili, në cfarëdo mënyre ka kontribuar në realizimin e kësaj vepre si dhe të këtij tubimi të sotëm.
Gjatë punës sonë, poashtu, kemi pasë edhe një ndihmesë të madhe nga mediet tona më të vizituara të trevës , të cilat ju i njihni kush janë, dhe me këtë rast i falenderojmë shumë.
Sikurëse tashmë e dini, fushata për ngritjen e fondeve ka qenë e karakterit vullnetar dhe e hapur, pa kufij fisnor, e krahinor.
Ne, nuk kishim asnjë arsye t'ia shkurtonim rrezen zulmit mbarëshqipëtar të një heroi, emri i të cilit saherë përmendet, vetëm nderë e lavdi hedhë mbi vendlindjen e tij dhe mbarë Malësinë e Madhe.
Objektivi yne finansiar ka qenë brenda suazave reale, mbase e kishim vizionin për volumin e punëve që ishin të mundëshme për tu kryer. Fjala është për kuotën prej 50 mijë dollarëve amerikanë, shumë kjo që ishte e paraparë për të mbuluar koston e punimeve artistike në bronz, dhe të disa plotësimeve dhe riparimeve iminente, për të cilat, ky objekt kishte shumë nevojë.
Falë punës së madhe të drejtpërdrejt me publikun, dhe asaj “online” nëpërmjet platformës "GoFundMe”, kemi mundur ta tejkalojmë objektivin e parashtruar. Prandaj, deri në këto momente janë grumbulluar gjithësejt $51,555.00, konsideruar këtu edhe kundërvletën e donacioneve në valuta tjera. U sigurojmë se, të gjitha këto fonde do të përdoren dhe evidentohen me pergjegjësi dhe transparencë të plotë.
Dëshiroj të theksoj se gjatë punës sonë kemi pase edhe këshillime me njerëz të shumtë të trevës sonë, edhe më gjërë.
Nje ndihmesë e veçantë në këtë aspekt na është dhënë nga më te afërmit e sotëm të Dedë Gjon Lulit. Për më tepër, Ata, kesaj herë na kanë ndihmuar të heqim çdo dyshim se, ky objekt kulturor, megjithëse në pronat e Dedë Gjon Lulit, nuk është aspak më shumë i tyre, sesa i cilitdo malësor dhe shqiptar, tjetër.
Në planin profesional kemi patur konsultime me të paktën pesë skulptorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët poashtu i falenderojmë shumë. Pas të gjitha analizave dhe vlerësimeve tona, këto punime artistike ia patëm besuar skulptorit të mirënjohur, Pjerin Kolnikaj.
Zoti Kolnikaj gjendet këtu mes nesh, dhe ne e falënderojmë shumë për bashkëpunimin, dhe veprën e bukur që ka lënë pas me duartë e veta.
Më lejoni të ju rikujtoj se, në këtë fazë të punimeve kanë qenë të përfshira edhe disa plotësime dhe riparime përkatëse, te cilat, sot, sikurëse po i shihni, janë mjaft evidente.
Kemi patur gjithashtu edhe idenë e bërjes së një dokumentari, që do të ishte ne funksion të vizitorëve të këtij objekti, me te cilin do të pasqyrohrj në pika të përmbledhura, historia e kësaj kulle dhe kësaj familje, në konstelacionin e kohës. Por, njerëzit të cilët i kemi kontaktuar deri në këto momente, nuk i kanë kënaqur synimet tona, ndaj dhe nuk qe e mundur të jetë gati pë ditën e sodit. Mirëpo edhe këtë, shpresojmë ta realizojmë sa më parë.
Pjesëmarrës të nderuar,
Nuk është kjo hera e parë që, në mungesë të institucioneve vëndore, ky dhe shumë projekte tjera të mirren përsipër nga individë dhe grupe joformale njerëzish vullnetmirë dhe të gatshëm për veprim.
Falë kësaj energjie vullnetare, në trevat e Komunës së Tuzit, deri sot, janë përfunduar me dhjetëra projekte madhore dhe janë grumbulluar disa miliona dollarë.
Edhe ndertimi dhe kompletimi i kësaj shtëpi-muze, u ideuan dhe po realizohen me po të njëjtin motivacion.
Një gjë është shumë e sigurt, se, asnjë nga këto projekte, nuk do të ishin realizuar sikur, të ishte pritur momenti kur të gjithë malësorët të mëndojnë njësoj.
Fakti që Tuzi, prej 3 marsit të këtij viti, po e jetëson statusin e komunës së plotë, të duket sikur një prej porosive të Dedë Gjon Lulit është çua në vend të vet.
E kuptojme se, siç kanë ndryshuar kohët, ka ndryshuar edhe mënyra e të menduarit për shumë çeshtje të mëdha. Por, kohët nuk duhet të na ndryshojnë deri në atë gradë sa t’i lejojmë dikujt nga jashtë të bëhet zot në shtëpinë tonë.
Ja një paradoks:
Ndërsa asokohe Dede Gjon Luli me bashkëluftarët e vet luftonte për një Shqiperi etnike të pavarur, malësorëve të sotëm u takoi të shterrnin të gjitha energjitë e veta për ta “zbuluar” kryet e vendit në shtëpinë e vet!!
Edhe dy fjalë për në fund:
Kjo shtëpi-muze është një shtëpi e rimëkëmbur monumentale në përkujtim të atyre, që para njëqind vjetëve kishin jetuar këtu. Me këtë dua të them se ky objekt nuk është dhe nuk mundet të jetë Muzeu Historik i Malësisë së Madhe..., mbase këtë emër nuk mundet ta mbajë as përnga karakteri që ka sot, as për nga vendndodhja!
Por, nga ana tjetër, ky objekt është do të jetë gjithëmonë një adresë e hapur ku afirmohen vlerat historike dhe njerezore te mbarë kësaj krahine.
Kjo shtëpi-muze ka nevojë të mirëmbahet rregullisht dhe të pasurohet edhe më tej.
Asaj, pashmangshëm i duhet një bord drejtues dhe një status i një institucioni të pavarur joqeveritar. Apeloj që kjo të bëhet sa më parë.
Dhe në mbyllje, më lëjoni të shërbehem me thënjen e një rrevolucionari meksikan, Emiliano Zapata:
“Më mirë të vdesësh në këmbë, sesa të jetosh në gjunjë”.
Kështu duhej ta kishte menduar edhe i madhi Dedë Gjon Luli.
***
Lavdi jetës dhe veprës së Dedë Gjon Lulit dhe të gjitha figurave tjera të kësaj familje heroike!
Lavdi gjithë trimave dhe dëshmorëve të Malësisë së Madhe që u flijuan për lirinë e kësaj toke dhe të Shqipërisë nënë!
Shumë faleminderit për vëmëndjen!
Gjokë Gojçaj
Bardhaj-Malësi e Madhe, 25 gusht 2019