Porosia ime:
Votoni për partite shqiptare, e në kuadër të kësaj, votoni për më të mirët!
Është për tu habitur sesa e veshtirë është t'i bindësh shqiptarët, jo vetem partitë e tyre, por edhe vetë votuesit, se garimi në më shumë grupacione partiake për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, është veprim i pandergjegjshëm dhe i dëmshëm, kur mendohet për të qenmën faktor i respektuar politik në këtë republikë!
...Sepse, për të jetuar gjallë si individ, e për te ngrënë bukë, madje edhe pilav me mish, nuk të duhet të jeshë kurrëfarë faktori politik. Mjafton të keshë shëndet dhe të holla.
Shqiptarët duhet ta kene të qartë një gjë, se, pushtetin qendror në Mal të Zi gjithëmonë do ta përvetësojnë malazezët, si shumicë.
A e dijnë shqiptarët se ata vetë, për palën pushtetmbajtëse janë një çeshtje, një problem dhe një projekt unikal? Jo dy, jo tri çeshtje, etj! Prandaj, nese e dinë këtë, ata duhet ta kuptojne se faktorizimi i tyre politik eshte betejë serioze e jo argëtim. Kjo betejë për të qenë dikush, zhvillohet ne nje fushe frontale politike, ku në njën anë të asaj vije ndarëse , janë ata, si pakicë "matematikore" e në anën tjetër të frontit, i gjithe spektri shtetformues malazez me satelitët e tij.
A duhet këtu shumë filozofi, që shqiptarët ta kuptojnë se i përkasin palës më të dobët numerikisht, politikisht dhe institucionalisht?! A e dijnë votuesit shqiptarë se asnjë pushtet në ate republikë, as sot, as në të ardhmen, nuk do të bëjë hapa të vullnetshëm për avancimin e pozitës së shqiptarëve, përveç nga zori dhe "shtrëngimet" që mund t'u bëhen prej jashtë, ose nga influenca e perfillshme e shqiptarëve, të cilen mundet ta ushtrojne vetem nese jane "dikushi" me të cilet pushtetit i duhet të negocojë patjeter? A e dijnë shqiptarët se pushteti bën cdogjë që çmimi i avancimit të pozitës së shqiptarëve të jetë sa më i ulët? A e dijnë shqiptarët se pushteti më parë përcaktohet për t'i korruptuar dy ose tre lidera shqiptarë duke u dhënë pozita të larta, si ministra, drejtora e shefa (pa portofol) sesa të bejë një vepër nga e cila do të përfitonin shqiptarët si nacionalitet, duke shpenzuar miliona e miliona Euro.
Më duket se votuesve shqiptarë u mungon kjo mprehtësi e pamjes.
Vërtetë, a janë shqiptarët serioz dhe te vetedijshem për këtë fakt?!
Ç'kuptim atëherë ka dalja në zgjedhje në më shume "kolona", përveç për t'i shërbyer akoma më shumë dobësimit dhe dezintegrimit te ketij nacionaliteti deri në shpërfillje?! Kjo eshte ajo qe është shpërfillur gjatë vendosjes për të garuar "nga një gjel për çdo pulë"!. Por, kjo tashmë ështe e kaluar dhe beteja e tyre po vazhdon ndaras për të zezën e vet, e për të mirën e atyre që punojnë gjithë kohën që të jemi të ndarë, të lodhur, dhe pa fuqi politike e institucionale.
Por, në këto rrethana, përsëri ka mbetur e gjallë një kauzë, për të cilën mund të apelohet tek votuesit shqiptarë në atë republikë. Votuesit shqiptarë duhet të votojnë për ato dy koalicione shqiptare. Kjo është vepra e parë qe duhet ta identifikojnë që në fillim. Se, a më takon mua t'i ftoj ata për të votuar atë koalicion, apo këtë tjetrin, sidomos duke mos qenë as pjesë e kësaj gare politike, kjo është çeshtje që si shqiptar integralist, për të cilën nuk dëshiroj të përcaktohem drejtëpërdrejt.
Imagjinoni sa e veshtirë do te ishte për një prind, të mbështeste njenin fëmi në dëm të tjetrit, edhepse i vetedijshëm se njëni prej tyre është i gabuar!
Pra, le ta identifikojnë vetë votuesit, subjektin që është treguar më i hapur për bashkim dhe që ka gjasa më të mëdha për të fituar maksimumin e vendeve në parlament. Tek e fundit, votuesit janë ata që kanë në dorën e tyre tërë fuqinë për të ndeshkuar politikisht dikë që nuk sjellet me përgjegjësi ndaj tyre si tërësi, ose për ta shpërblyer..., nëse është merituar një gjest i tillë. Unë dua të ju kujtoj zgjedhjet e 3 marsit 2019, për Komunën e Tuzit, kur një gjest i ndergjegjshëm i liderëve lokalë, për tu bashkuar, ka mundur të mobilizojë shumicën shqiptare, vendase dhe në diasporë, madje edhe shumë oponentë të deriatëhetshëm të tyre, që të votojnë "pro" atij uniteti dhe të hedhin themelet e një qeverisjeje vendase, shqipfolëse e shqiptare. Kjo formulë, ka mundur dhe është dashtë të aplikohet edhe kësaj here.
Më vjen shumë keq që kësaj herë nuk jam në mundësi për të qenë në Malësi, me rastin e këtyre zgjedhjeve, mbase kam një termin të rezervuar për më vonë. Sukses shqiptarëve dhe atyre që meritojnë të prijnë e të veprojnë në emër të tyre!